e hënë, shkurt 4

Përshtypjet e ditës - lajmet e ditës

Dita e sotme nisi si zakonisht me leximin e shtypit. Në lajmet kryesore, vihet re dorëzimi i qeverisë para rritjes së çmimit të bukës si pasojë e rritjes së çmimit të grurit në tregun ndërkombëtar. Gruri sipas të dhënave të FT arriti të premten e kaluar në 950 dollarë për ton, me rritje prej 104% që nga viti i kaluar.

Berisha vendos ta mbrojë politikisht ministrin e vet Lulëzim Basha, (njeriun që ka zaptuar pa asnjë të drejtë njërin prej ashensorëve të shtëpisë së tij të re pranë Parkut të Tiranës), duke e shpallur si një ministër të shkëlqyer. Strategjia e qeverisë për mbrojtjen e Bashës duket se konsiston në zvarritjen e problemit deri në harresë. Prokuroria nuk e ka dorëzuar ende dosjen në gjykatë. Personalisht, besoj se BektelEnka nuk kanë paguar ndonjë lek për të fituar atë tender, por shkeljet janë tërësisht të qarta.

Një monstër u fut në burg i denoncuar nga e bija njëzetetre vjeçare për përdhunim të herëpashershëm.

Në Serbi, mes kaosit dhe akuzave për manipulim, presidenti aktual Boris Tadiç fitoi zgjedhjet. Pavarësia e Kosovës pritet të shpallet pa zhurmë, në ditët e ardhshme. Tadiç, një përfaqësues i politikës së moderuar në Serbi, thuhet se beson jopublikisht se vendi i tij duhet të heqë dorë nga Kosova në këmbim të integrimit në BE, përkundër radikalëve të kryeministrit Koshtunica që beson se BE nuk ofron asgjë (ose më saktë, një axhendë integrimi të vagullt) në këmbim të Kosovës. Në fakt, duket se as njëri e as tjetri nuk janë në pozicion për të zgjedhur nëse e duan apo jo Kosovën, sepse pavarësia nuk varet fare nga ata, (e njëjta gjë mund të thuhet edhe për integrimin në BE), pra thjeshtë ata mund të bëjnë rolin e të mundurit të pakënaqur.

Gjendjen e Prishtinës në prag të pavarësisë e pasqyroi më së miri Ben Andoni te revista MAPO.

Investimet e huaja, një fajde me interes të jashtëzakonshëm

Lajmi më interesant i ditës qe një shkrim i gjatë i botuar nga agjencia Italiane Rinaschimento Dei Balcani, me autor Michele Altamura, mbi borxhet e jashtëzakonshme që qeveria Shqiptare po merr këto kohë, duke marrë shkas nga lajmi i ditëve të fundit se BSH do të emetojë 200 milionë eurobonde të reja për llogari të qeverisë shqiptare. Të gjitha këto para duket se po shkojnë për të ushqyer maninë e kryeministrit për projekte gjigante.

z. Altamura thotë se kjo është rruga drejt zhytjes së vendit në spiralen borxhe-interesa, pra krijimi i një situate të ngjashme me vitin 1997, kaos dhe prag lufte civile.

Ky qe një shkrim disi profetik, po të merren parasysh vetëm borxhet. Në fakt, po të kihen parasysh edhe investimet e huaja, atëherë po, ka vend për të thënë se do t’i lëmë pasardhësve tanë një vend të mjerë, të zhytur në borxhe dhe detyrime të tjera, pa mundësi për të ngritur kokën, pra një vend të keq për të jetuar. Investimet e huaja në banka dhe telekomunikacion, të cilat rritën ekonominë shqiptare gjatë viteve të fundit, tashmë po kthehen në vrima të zeza, pasi investitorët po tërheqin fitimet e majme duke më krijuar përshtypjen se FDI-të janë asgjë tjetër veçse një borxh afatshkurtër që jepet përkundrejt një interesi shumë të lartë. Investimet në telekomunikacion p.sh, po kërkojnë tashmë interesa-fitime deri në 70% në vit ndërsa bankat, por marrin kthime deri në 50% në vit. Dhe nuk mbaron këtu, sepse koncesione të reja po jepen me vlerë miliarda euro dhe me parashikim për fitime prej 20, 30 apo 50%.

Kriza aktuale ekonomike, me të cilën po përballen të gjithë shqiptarët, ndoshta nuk ka ardhur thjeshtë si pasojë e qeverisjes së keqe të sotme. Është disi edhe pasojë e largimit të parave në formë fitimesh.

Nuk ka komente: