e enjte, shkurt 7

Kosova, një vend i pavarur te Shtëpia e Librit

Ditari i Tiranës – Që kur libraria shqiptare në internet, www.shtepiaelibrit.com, filloi të funksionojë në shtator të vitit të kaluar, diçka nuk po shkonte siç duhet. Klientët tanë nga Kosova, kur hapnin një llogari, detyroheshin të rregjistroheshin si qytetarë të Serbisë, kjo për shkakun se kodet ISO pra dy germat që identifikojnë një vend si AL - për Albania, US - për SHBA, etj., përcaktohen nga OKB dhe Kosova, siç e dimë, nuk është anëtar i OKB-së. Nga sot, së paku te Shtëpia e Librit, miqtë tanë nga Kosova mund të hapin një llogari si qytetarë të Kosovës. Falë disa modifikimeve në program, unë dhe Elvisi arritëm t’i përcaktojmë Kosovës një kod para se surrokratët e OKB-së ta autorizojnë një gjë të tillë, kodin KS.

Këto “gjërat e vogla” që në arenën ndërkombëtare e paraqisnin Kosovën si pjesë të Serbisë, duke filluar nga prefiksi telefonik, e duke mbaruar te hapja e llogarive bankare, te kodi Swift, apo regjistrimet në internet, kodet postare etj., janë disi acaruese. Së paku rregjistrimi si qytetar i Serbisë nuk është më i nevojshëm te shtëpia e librit.

e martë, shkurt 5

Kullave binjake mund t’i dalë pronari

Nja pesë a gjashtë vite më herët, kur ‘Kullëzat Binjake’ të Tiranës u sekuestruan pjesërisht për shkak se investitori Jasim Kadi rezultonte në dy lista të zeza të financuesve të terrorizmit, atë të SHBA-ve dhe atë të OKB-së, u gajasa së menduari se Al Kaeda kishte rrëzuar dy Kullat e vërteta Binjake në Nju Jork, ndërkohë që financonte ndërtimin e dy Kullëzave Binjake në qendër të Tiranës.

Me kalimin e kohës, sekuestrimi i pronave të Jasim Kadisë dhe përpjekjet e tij për të shpëtuar diçka nga pasuritë e veta prodhuan një pafundësi lajmesh në Shqipëri, përfshirë disa procese gjyqësore dhe disa ‘skandale’. Një i kohëve të fundit tregonte se si qe zbuluar që administratori i Jasim Kadinë vijonte të vilte ca qera nga pronat e shpallura nën sekuestro, një dëshmi e paaftësisë administrative të këtij shteti.

Pronat prej miliona dollarësh të Jasim Kadisë rezultuan një biznes i leverdisshëm për qeverinë shqiptare. Falë tij, Agjencia Kombëtare e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, Ministria e Intergimit (për ca kohë) dhe institucione të tjera shtetërore gjetën strehë. Kjo qe në fakt në traditën më të mirë të vjedhjes së pronës së individit nga ana e shtetit dhe për ironi të fatit, institucioni që teorikisht ka për detyrë të kthejë pronat e shqiptarëve, zë stretë në një pronë, që ligjërisht duhet të jetë ‘e ngrirë’, do të thotë që pronari të mos përdorë të ardhurat nga ajo pronë. Praktikisht janë të konfiskuara.

Në numrin e fundit, revista britanike The Economist i kushtoi një shkrim pronave të ngrira të terrorizmit, dhe vura re se z. Kadi, nuk është arrestuar, kundër tij nuk është ngritur asnjë akuzë dhe se ka vendosur të sfidojë vendimin e OKB-së për ta futur në listën e zezë të financuesve të terrorizmit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. The Economist thotë se lista e OKB-së është arbitrare deri në alarmuese.

Te linku keni shkrimin.

Sa për ne këtu, mund të themi se ka shumë gjasa që këtë verë, zyra e Kthimit të Pronave të detyrohet t’i lëshojë pronën atij që ia ka marrë.

Ditari i mëngjesit

Dita e sotme qe e mbushur me lajme argëtuese. Gazeta Tema raportonte në faqe të parë se Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, qe i bindur se tregu nuk do të lejojë rritjen e çmimit të bukës. Bindja e tij zgjati pak orë. Në dy-tre furra te Rruga Elbasanit që pata rastin t’i shoh duke bërë pazarin e përditshëm, çmimi i bukës qe 120 lekë. Dhe problemi nuk mbaron këtu, sepse ka gjasa që do të rritet më shumë. Çmimi i miellit me shumicë në Shqipëri arriti në 3200 lekë për 50 kilogramë, e barazvlefshme me 770 dollarë për ton. Çmimet për grurin që do të dorëzohet këtë verë në tregun ndërkombëtar ka arritur në 950 dollarë për ton. Kjo do të thotë se brenda verës së këtij viti, buka e përditshme do të kushtojë ca më shtrenjtë. Industria e blojës është përqendruar në tre-katër fabrika të mëdha dhe fabrikat e vogla arrijnë të konkurrojnë me çmime më të ulëta vetëm nëpër provincat e Shqipërisë.
Në lajme të tjera, Profesori socialist Servet Pëllumbi, majtist i bindur (që ka edhe respektin e Berishës, i cili dikur e akuzoi se ka propaganduar marksizmin deri në vitin 1993), u prononcua pro Ramës dhe kundër Nanos. Në krahun tjetër, ish-ministri dhe deputeti demokrat Besnik Mustafaj i bëri qejfin Berishës dhe shau pjesën tjetër të qeverisë, duke shprehur frikën se kjo qeveri nuk është në gjendje të përballet me votuesit në zgjedhjet e vitit 2009.
Z. Ndoka, ka vendosur të kërkojë më shumë para nga pagat e shqiptarëve në këmbim të shërbimit shëndetësor më cilësor. Sipas tij, shqiptarët duhet të paguajnë 7.5% të pagës për shërbime shëndetësore. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, për sa kohë Shqipëria rezulton një kampion në konsumin e ilaçeve, krahasuar me vendet e tjera Europiane, kryesisht për shkak të çmimeve të negociuara mes dikasterit të kristiandemokratit Ndoka dhe kompanive treguese të barnave.

e hënë, shkurt 4

Çmimet e ushqimeve rifillojnë rritjen

Ditari i Tiranës – Çmimet e mallrave ushqimorë filluan sërish tendencën e rritjes pas disa muajsh pushimi relativ. Çmimi i vajit, miellit, orizit dhe vezëve, (të gjitha mallra të prodhimit në shkallë industriale në Shqipëri), pësuan rritje gjatë fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit.

Herën e fundit, një situatë e tillë u pa në shtator dhe tetor të vitit të kaluar, kur zëri i ushqimeve në Indeksin e Çmimeve të Konsumit u rrit deri me 9.4% në bazë vjetore, rritja më e madhe mujore e shënuar që nga viti 1998. Çmimi i vajit të lulediellit p.sh, kushtonte 160 deri në 170 lekë për litër verën e kaluar, u rrit deri në 190 lekë për litër në shtator 2007 dhe sot kushton 200 deri në 220 lekë për litër.

Dukshëm rritja e çmimeve të ushqimeve udhëhiqet nga sektori vendës i agroindustrisë në rastin e vezëve dhe nga importet në rastin e miellit, vajit dhe orizit. Një pjesë e madhe e agroindustrisë qe detyruar më herët të mbante çmime të ulëta për shkak të konkurrencës së fortë nga jashtë, e cila favorizohej nga forcimi i vazhdueshëm i lekut. Por leku nuk është forcuar më dukshëm që prej dy vjetësh, ndërsa çmimet e ushqimeve në treg ndërkombëtar kanë pësuar rritje. Në këtë rast, importuesit janë detyruar të rrisin çmimet ndërsa industria vendëse ka përfituar nga rasti. Vezët, mishi dhe qumështi, bëjnë përjashtim këtu. Vezët janë të ndikuara nga fenomeni i përqendrimit të prodhimit, prodhohen tërësisht në vend dhe tregu është i tejngopur nga pamundësia për të eksportuar mbiprodhimin. Por janë vetëm dy prodhues që dominojnë këtë treg dhe që kanë udhëhequr aktualisht rritjen e çmimeve. Çmimi i mishit dhe i qumështit e i nënprodukteve nuk duket të ketë pësuar rritje, kryesisht për shkak se furnizohet nga prodhues të vegjël, (nuk ka dominim) dhe se Shqipëria ka gjithashtu mbiprodhim për këto mallra pa mundësi eksporti.

Përshtypjet e ditës - lajmet e ditës

Dita e sotme nisi si zakonisht me leximin e shtypit. Në lajmet kryesore, vihet re dorëzimi i qeverisë para rritjes së çmimit të bukës si pasojë e rritjes së çmimit të grurit në tregun ndërkombëtar. Gruri sipas të dhënave të FT arriti të premten e kaluar në 950 dollarë për ton, me rritje prej 104% që nga viti i kaluar.

Berisha vendos ta mbrojë politikisht ministrin e vet Lulëzim Basha, (njeriun që ka zaptuar pa asnjë të drejtë njërin prej ashensorëve të shtëpisë së tij të re pranë Parkut të Tiranës), duke e shpallur si një ministër të shkëlqyer. Strategjia e qeverisë për mbrojtjen e Bashës duket se konsiston në zvarritjen e problemit deri në harresë. Prokuroria nuk e ka dorëzuar ende dosjen në gjykatë. Personalisht, besoj se BektelEnka nuk kanë paguar ndonjë lek për të fituar atë tender, por shkeljet janë tërësisht të qarta.

Një monstër u fut në burg i denoncuar nga e bija njëzetetre vjeçare për përdhunim të herëpashershëm.

Në Serbi, mes kaosit dhe akuzave për manipulim, presidenti aktual Boris Tadiç fitoi zgjedhjet. Pavarësia e Kosovës pritet të shpallet pa zhurmë, në ditët e ardhshme. Tadiç, një përfaqësues i politikës së moderuar në Serbi, thuhet se beson jopublikisht se vendi i tij duhet të heqë dorë nga Kosova në këmbim të integrimit në BE, përkundër radikalëve të kryeministrit Koshtunica që beson se BE nuk ofron asgjë (ose më saktë, një axhendë integrimi të vagullt) në këmbim të Kosovës. Në fakt, duket se as njëri e as tjetri nuk janë në pozicion për të zgjedhur nëse e duan apo jo Kosovën, sepse pavarësia nuk varet fare nga ata, (e njëjta gjë mund të thuhet edhe për integrimin në BE), pra thjeshtë ata mund të bëjnë rolin e të mundurit të pakënaqur.

Gjendjen e Prishtinës në prag të pavarësisë e pasqyroi më së miri Ben Andoni te revista MAPO.

Investimet e huaja, një fajde me interes të jashtëzakonshëm

Lajmi më interesant i ditës qe një shkrim i gjatë i botuar nga agjencia Italiane Rinaschimento Dei Balcani, me autor Michele Altamura, mbi borxhet e jashtëzakonshme që qeveria Shqiptare po merr këto kohë, duke marrë shkas nga lajmi i ditëve të fundit se BSH do të emetojë 200 milionë eurobonde të reja për llogari të qeverisë shqiptare. Të gjitha këto para duket se po shkojnë për të ushqyer maninë e kryeministrit për projekte gjigante.

z. Altamura thotë se kjo është rruga drejt zhytjes së vendit në spiralen borxhe-interesa, pra krijimi i një situate të ngjashme me vitin 1997, kaos dhe prag lufte civile.

Ky qe një shkrim disi profetik, po të merren parasysh vetëm borxhet. Në fakt, po të kihen parasysh edhe investimet e huaja, atëherë po, ka vend për të thënë se do t’i lëmë pasardhësve tanë një vend të mjerë, të zhytur në borxhe dhe detyrime të tjera, pa mundësi për të ngritur kokën, pra një vend të keq për të jetuar. Investimet e huaja në banka dhe telekomunikacion, të cilat rritën ekonominë shqiptare gjatë viteve të fundit, tashmë po kthehen në vrima të zeza, pasi investitorët po tërheqin fitimet e majme duke më krijuar përshtypjen se FDI-të janë asgjë tjetër veçse një borxh afatshkurtër që jepet përkundrejt një interesi shumë të lartë. Investimet në telekomunikacion p.sh, po kërkojnë tashmë interesa-fitime deri në 70% në vit ndërsa bankat, por marrin kthime deri në 50% në vit. Dhe nuk mbaron këtu, sepse koncesione të reja po jepen me vlerë miliarda euro dhe me parashikim për fitime prej 20, 30 apo 50%.

Kriza aktuale ekonomike, me të cilën po përballen të gjithë shqiptarët, ndoshta nuk ka ardhur thjeshtë si pasojë e qeverisjes së keqe të sotme. Është disi edhe pasojë e largimit të parave në formë fitimesh.

e shtunë, shkurt 2

Një lajm i shkëlqyer për mua

Dita e sotme më dha një lajm të shkëlqyer. Libraria në internet Shtëpia e Librit, të cilën e kam krijuar sëbashku me mikun tim Elvis Plaku, më në fund, rifilloi të funksionojë pas më shumë se një muaji problemesh të pafundme teknike, stresi e pune të vazhdueshme. Natyrisht, puna grafike nuk ka mbaruar ende, por sakaq, vetëm pak orë pasi faqja u hap, një lexues nga Kanadaja porositi librin Rrota e Mundimit, me autor filozofin e mirënjohur Artan Fuga.

Shpresoj që Shtëpia e Librit t’u shërbejë lexuesve shqiptarë me shumëllojshmëri mundësish jo thjeshtë për të blerë libra, por edhe për të komunikuar e debatuar mbi vlerat që ata mbartin, duke shërbyer si një filtër për tregun e librit. Dhe lexuesit janë ata që mund të ndihmojnë njëri-tjetrin për të kuptuar nëse një libër i ri mbart vlera apo është konsum i panevojshëm i letrës dhe mundimit.

e enjte, janar 31

Elizabeth the Golden age

Kinemaja të jep gjithmonë një ndjesi të re. Mirë është të mos qëndrosh shumë kohë pa shiruar efektet e kamerës në ekran të madh dhe efektin zanor të bokseve të shumëfishtë. Javën e fundit, Elizabeth the Golden Age, qe një film i këndshëm, disi acarues sepse më kujtoi një shprehje të Vittorio Mussolini-t, djalit të diktatorit të Italisë, një kineast, që thoshte se ‘50% e filmave të prodhuar janë propagandë.’ Për dreq unë jam alergjik nga propaganda, ai lloj arti që ndoshta është i pashmangshëm në kinematografi, sepse përndryshe, një film i mirë do të kthehej në një dokumentar të keq.
Filmi flet për ngjarjet e shekullit të XVI, lufta mes Britanisë së Madhe dhe Spanjës, nën sfondin e ndarjes fetare mes katolikëve dhe protestantëve. Thuhet se qe ajo luftë e pafat për Spanjën Katolike që e nxorri atë nga lista e perandorive të klasit të parë dhe i hapi rrugën shfrytëzimit të Amerikës nga Britania, e për rrjedhojë edhe për krijimin e Perandorisë Britanike. Gjatë filmit, një pirat romantizohet dhe kthehet në dashnor besnik, e në fund, në hero. Elizabeth del kampione e të drejtave të njeriut, një dashamirëse ndaj katolikëve, (që në fakt gjatë kohës së saj u masakruan) dhe një luftëtare për lirinë e mendimit dhe besimit.
Pirati. Thuhet se janë ata që vrasin të pafajshmit për t’i vjedhur pasurinë. Në historinë e Shqipërisë, shkruar nga shqiptarët, ka diçka interesante. Në historinë e antikitetit, dihet se Roma i shpalli luftë ilirëve duke i akuzuar për pirateri në Adriatik. Historianët shqiptarë nxitonin të shtonin pas kësaj se kjo nuk qe e vërtetë, se synimi i Romës qe thjeshtë pushtimi. Ky është një konkluzion afër mendësh, por i pabazuar në të dhëna historike, gjithsesi. Ndoshta, pirati i famshëm Drek, që u gradua si fisnik nga mbretëresha e virgjër Elizabeth, mund të kishte mbetur një pirat aspak romantik nëse Spanja do ta fitonte luftën. Por nëse i hyn në film punës së ndarjes së të drejtës nga e padrejta, dhe kur bëhet fjalë për film historik, besoj se nuk ke çfarë të bësh. Në fund të fundit është më shumë film sesa historik.